Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim informal me gazetarët në Llogara, ku dhe iu është përgjigjur pyetjeve të shumta.

Pyetjes së përse Saimir Tahiri është lënë pa një post ministror, ndonëse ai është vlerësuar shumë nga ana e tij, Kryeministri tha se qeveria nuk është një seksion kombëtareje.

“Qeveria nuk është një seleksion kombëtareje. Na duhet një grup i fortë parlamentar që qeveria të mbahet nën presion nga deputetët. Kemi kapacitete shumë të mira që na jep mundësi të bëjmë hapjen dhe forcimin e partisë. Kemi nevojë për një grup të fortë në Partinë Socialiste dhe kjo nuk mund të bëhej nëse do ngarkohej me postin e ministrit”.

Deklaratave të Presidentit Meta në kohë fushate se nuk do të dekretojë qeverinë nëse konstatohet vjedhje të votave, Rama u shpreh se nuk do të ketë probleme.

“Nuk shoh një potencial aq auto-destruktiv sa ajo që u shfaq në fushatë. Mendoj se nuk do të ketë probleme dhe ato deklarata për mos dekretim të qeverisë ishin vetëm për kohë fushate”.

Rama ka komentuar edhe rolin që do të ketë PD-ja dhe LSI-ja si forca opozitare në vend. “LSI është një opozitë nga halli, pasi Partia Demokratike është forca kryesore opozitare në vend. LSI kaloi në opozitë për shkak të gabimeve strategjike”, – shtoi kryeministri.

Një nga temat e diskutuara në këtë bashkëbisedim ishte çështja e turizmit, ku shefi i qeverisë tha se të gjithë hotelet që kanë gropa septike do të detyrohen që të bëjnë impiante të trajtimit të ujova e të zeza dhe atyre të bardha.

Kjo për të ulur ndotjen e ujit në det dhe për të rritur cilësinë e turizmit. Gjithashtu Rama premtoi investime në fshatrat turistikë, duke thënë se do të shtrohen rrugë të reja.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here