Koreja e Veriut lëshon një raketë mbi Japoni, Tokio në alarm

0
261

Provokimet e Kim Jong-un nuk pushojnë dhe sa vijnë e bëhen më agresive. Koreja e Veriut lëshoi të martën në mëngjes një raketë që fluturoi mbi Japoni dhe ra në Oqeanin Paqësor, duke shkaktuar alarm mes zyrtarëve qeveritarë në Tokio dhe duke rritur ndjeshëm shqetësimet diplomatike rreth krizës mbi programin ushtarak të Phenianit (në orën 06:29 lokale; në mbrëmjen mes së hënës e së martës në Europë).

Zyrtarët ushtarakë japonezë, koreano-jugorë dhe amerikanë po studiojnë të dhënat rreth lëshimit dhe trajektores, por deri tani nuk ka patur njoftime rreth llojit të raketës balistike të hedhur nga Koreja e Veriut. Pika e lëshimit ishte pranë Phenianit, kryeqytetit të Koresë së Veriut. Raketa ra në det në lindje të ishullit Hokaido.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Rob Manning, tha se një vlerësim i hollësishëm i lëshimit nga Koreja e Veriut është në proces, por shtoi se zyrtarët e SHBA kishin konfirmuar se raketa “nuk përbënte kërcënim për Amerikën e Veriut”.

Raportet e para thanë se ishin hedhur tre raketa, por shpejt u konstatua se bëhej fjalë për vetëm një raketë. Autoritetet thanë se raketa shpërtheu gjatë fluturimit dhe ra në oqean në tre pjesë.

Kryeministri japonez Shinzo Abe, i cili thirrje menjëherë një takim të kabinetit, tha: “Ne do të bëjmë ç’të jetë e mundur për të mbrojtur me vendosmëri jetën e popullit”.

 

Autoritetet në Tokio thanë se nuk ishin bërë përpjekje për ta goditur raketën, por shtuan se fjala ishte për një “kërcënim serioz dhe të rëndë ndaj sigurisë së Japonisë.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here