Kuvendi i Kosovës ka proceduar me vazhdimin e seancës konstituive, të filluar që nga 3 gushti, por nuk ka arritur sërish të zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët e këtij institucioni.

Në fillim të seancës, koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma ka kërkuar edhe një afat tjetër kohor për të krijuar shumicën parlamentare në Kuvend.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se PAN e ka kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk e ka shumicën. Andaj, ai kërkoi edhe 10 apo më shumë ditë kohë për të proceduar me votimin.

“Në këto javët e fundit nuk e kemi pasur shumicën prej 61 votave për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, tha Hoxhaj.

Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, koalicioni PAN e ka të drejtën e propozimit për kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e tij, nuk mund të bëhet asnjë hap tjetër drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

Koalicionit PAN do t’i nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, vota të cilat deri në këtë fazë, nuk arriti t’i sigurojë.

Në një situatë të tillë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti doli me dy propozime. Së pari për PAN-in, duke i kërkuar që ta ndërrojë kandidatin për kryetar dhe në vend të Kadri Veselit të dalë me një kandidat tjetër, i cili sipas tij do të mund të siguronte mbi 61 vota. Dhe, së dyti, ai tha se nëse PAN nuk propozon kandidat, atëherë grupet tjera parlamentare duhet ta bëjnë këtë. Në këtë frymë, Kurti tha se “e shtrinë dorën e bashkëpunimit me koalicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativës”, për formimin e institucioneve.

Fjalimi i Kurtit, është përcjellë me reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ai tha se Vetëvendosje ka bllokuar në vazhdimësi shtetin e Kosovës dhe se të vetmin synim e ka pushtetin duke i kërcënuar me burgje e persekutim rivalët politik.

Ndaj Veselit reagoi sërish Albin Kurti, duke thënë se ai dhe PDK-ja e kanë kapur shtetin, drejtësinë dhe të gjitha organet, duke e lënë Kosovën në perspektivë të paqartë, të izoluar dhe me korrupsion e krim të organizuar.

Polemikat dhe akuzat ndërmjet Kurtit e Veselit u shtrinë edhe në çështje tjera, duke përfshi aty edhe rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharinë burg.

Duke e parë se seanca nuk po prodhon zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, kryesuesi i saj, deputeti Adem Mikullovci e ndërpreu atë, duke thënë se do t’i njoftojë me kohë deputetët për vazhdimin e saj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here