Pas bllokimeve të Bashkisë, karburantet në radhë për të paguar

0
73

Aksioni i nisur dje nga Bashkia e Tiranës për mbylljen e pikave të karburantit, të cilat e ushtrojnë aktivitetin e tyre pa licencë, ka dhënë rezultatet e para pozitive.

Burime nga bashkia bëjnë të ditur për Top Channel se rrjetet e mëdha të tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe të vajrave lubrifikante kanë qenë të parët që kanë nisur procesin për shlyerjen e detyrimeve kundrejt Bashkisë së Tiranës, sipas legjislacionit në fuqi.

Brenda 24 orëve, më shumë se gjysma e pikave të shitjes së karburanteve me pakicë kanë nisur pagesat dhe kanë filluar procesin e plotësimit të dokumentacionit për t’u pajisur me licencë, siç e përcakton edhe vendimi i Këshillit të Ministrave. Në ditën e parë të aksionit, institucionet e Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim edhe me organet e tjera shtetërore, bllokuan tre pika karburanti të cilat nuk ishin të licencuara dhe që i ishin shmangur detyrimeve kundrejt qytetit.

Aktualisht, në qytetin e Tiranës e ushtrojnë këtë aktivitet 173 subjekte të palicencuara, të cilat në rast të mospajisjes me licencën përkatëse ose nëse do të tentojnë që të ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrugët kryesore urbane, duke formuar xhepa për makinat, në kundërshtim me ligjin dhe pa lejet përkatëse, do të bllokohen menjëherë nga ana e Bashkisë së Tiranës.

Bashkia e Tiranës ka paralajmëruar se do të bllokojë të gjithë ato aktivitete të tregtimit me pakicë të karburanteve, deri në pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës dhe shlyerjen e detyrimeve të taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here