Skema deri në 2032/ 40 vite kontribute për të përfituar pension të plotë pleqërie

0
457

Sipas reformës, që ka hyrë në fuqi, parashikohet një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, çka lidhet direkt me masën e pensionit.

Si burrat dhe gratë për të përfituar pension të plotë pleqërie duhet të kenë më shumë vite kontribute. Vitet e kontributeve janë shtuar për 2017-n, 2018-n e kështu me radhë. Çdo vit për gratë duhen 4 muaj më shumë vite kontribute, në mënyrë që pensioni i pleqërisë të merret i plotë.  Prej muajit janar 2017 të gjitha përfitueset femra e marrin pensionin jo kur mbushin 60 vjeç por në 60 vjeç e 6 muaj.

Rritja e kontributeve me 4 muaj do të bëhet deri në vitin 2032, kur do të duhen 40 vite kontribute për të përfituar pension të plotë, ndërsa më pas mbetet e pandryshuar.

Skema e re parashikon rritjen e moshës për gratë me 2 muaj për çdo vit. Në vitin 2026-t një grua do të dali në pension në moshën 62 vjeç. Rritja me dy muaj do të bëhet deri në vitin 2056-t, kur gratë parashikohet të dalin në pension në moshën 67 vjeç.

Burrat

Ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë.

Pra Rritja e viteve të kontributeve për të marrë pension pleqërie ka prekur edhe burrat. Për të marrë pension të plotë të kategorisë së parë, në vitin 2016 duheshin  35 vite e 8 muaj kontribute për të përfituar të plotë pensionin e pleqërisë. Për vitin 2017 duhen 36 vite , pra edhe për burrat rritja do të jetë 4 muaj me çdo vit.

Me skemën e re parashikohet që burrat në vitin 2025, për të marrë pension të plotë, u duhen 38.8 vite kontribute. Por ndryshe nga gratë, për burrat nuk parashikohet që mosha e pensionit të rritet. Të paktën jo deri në vitin 2033-t. Pas këtij viti do të fillojë rritja e moshës së pensionit edhe për burrat. Konkretisht nga viti 2033-t dhe më pas mosha e pensionit për burrat do të rritet me 1 muaj për çdo vit.
Si llogaritet masa e pensionit të pleqërisë

Rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij. Sipas formulës së re, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social që është 7.065 lekë, shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Në këtë pjesë të formulës kemi ndikimin në uljen e masës së pensionit, duke qenë se pjesëtimi do të bëhet me një numër më të madh. Për shembull, nëse kemi një person me 40 vite punë, për të përllogaritur pensionin bazë duhet të bëjmë këtë veprim: 7.065×40/36 = 7.850 lekë.

Ndërkohë që përgjatë vitit 2016, baza e pensionit me këto të dhëna do të ishte 7.665 lekë, pra rreth 185 lekë më e lartë. Ndërkaq, pensioni përbëhet edhe nga një shtesë që është 1% shumëzim vitet e sigurimit shumëzim pagën mesatare. Paga mesatare përllogaritet në bazë të pagave bruto të deklaruara ndër vite, të cilat indeksohen me koeficientët përkatës, për t’i aktualizuar me tregun. Kjo bëhet duke i mbledhur pagat e deklaruara bruto (pas indeksimit) për çdo muaj dhe duke i pjesëtuar me numrin e muajve për të cilët janë derdhur këto paga. Pasi të kemi nxjerrë dhe vlerën e pagës mesatare, atëherë do të mund të përllogarisim dhe shtesën. Nëse supozojmë se kemi një person me 40 vite punë dhe me një pagë mesatare 45 mijë lekë, atëherë, në bazë të formulës kemi: 1% x 40 x 45.000 = 18.000 lekë. Në total ky person do të përfitojë: 7.850 + 18.000 = 25.850 lekë si pension pleqërie.

Pension i veçantë për nënat me shumë fëmijë
Nënat me shumë fëmijë që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur mbushin moshën 55 vjeç, kanë 30 vjet periudhë sigurimi, janë tërhequr nga veprimtaria ekonomike dhe anë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur mbi 8 vjeç. Masa e pensionit të pleqërisë si nënë me shumë fëmijë: Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë; Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, 30 vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social. Edhe në këtë rast shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here