Sa kushtojnë votimet shqiptare!? – Nga Dr. Enriko Ceko

0
203

Nga Dr. Enriko Ceko

Në ndihmë të debateve dhe pikëpamjeve për shpenzimet për votimet dhe se sa kushtojnë zgjedhjet në Shqipëri mendoj se çështja duhet parë në disa aspekte, sepse deri më tani këtë çështje e kemi parë vetëm në këndvështrimin e shpenzimeve të subjekteve politike, që është një këndvështrim që kërkon të japë spjegime apo ide duke u fokusuar vetëm në shpenzimet e subjekteve politike dhe për këtë arsye është i mangët dhe në më të shumtën e rasteve është i mbushur me spekulime e subjektivizëm, kjo sipas pozicionit që merr ai/ajo që analizon këtë çështje. Në fakt, ky është edhe këndvështrimi më i rëndomtë, të cilin e kemi hasur më shpesh pothuajse përgjatë tërë këtyre viteve tranzicioni, sa herë që kemi zgjedhje, qoftë për pushtetin qendror, qoftë edhe për atë vendor.

Tre nga aspektet kryesore te të cilat duhet të fokusohemi në lidhje me debatet dhe pikëpamjet për shpenzimet e zgjedhjeve në Shqipëri janë: Shpenzimet e subjekteve politike

(1), shpenzimet për procesin zgjedhor

(2) dhe shpenzimet publike përgjatë periudhës së zgjedhjeve

(3). Në lidhje me shpenzimet e subjekteve politike shifrat zyrtare janë thjesht ato ç’ka deklarojnë partitë. Konkretisht, në zgjedhjet e vitit 2013 forcat e djathta deklaruan diçka më shumë se 700 milionë lekë, ndërsa forcat e majta diçka më shumë se 400 milionë lekë.

Pra, pak a shumë rreth 10 milionë dollarë. Në të vërtetë, fushatat zgjedhore të vitit 2013 ishin shumë të ekzagjeruara dhe me butafori ekzaltuese, gjë që nuk reflekton aspak mënyrën dhe stilin e jetesës së pjesës më të madhe të popullsisë në Shqipëri. Pothuajse në të tërë vendin sheshet kryesore të qyteteve u mbushën me parrulla, banderola e fotografi, ndërsa hapjet dhe mbylljet e fushatave u shndërruan në spektakle gjigande marramendëse, që padyshim kanë kushtuar shumë më shumë se vetem 10 milionë dollarë. Po ashtu edhe zgjedhjet e mëparshme për pushtetin qendror, ku rolin e protagonistit e morrën në mënyrë krejt të pakuptimtë edhe disa VIP-a tallavaje, që vetëm për koncerte tepër të zakonshme kërkojnë shuma që luhaten midis 5.000 – 10.000 Euro. Po mjetet e pajisjet e spektakleve? Mos e pyet. Dhjetra mijëra euro e dollarë.

Nëse shikojmë deklarimet e subjekteve politike për zgjedhjet e këtij viti del se vetëm për një miting mbyllës fushate njëra nga partitë ka shpenzuar rreth 40.000 dollarë. Po kjo parti, vetem për flamuj ka shpenzuar reth 22.000.000 lekë.

Është e dukshme, nisur edhe nga ajo çka qytetarët deklaruan dhe doli në shesh menjëherë dy a tre ditë pas votimeve edhe nga disa subjekte politike, konkurruese në zgjedhje, blerja e votës u bë diçka tepër e zakonshme sikur të shkoje të blije bukë a djathë në dyqanin e lagjes.

Në lidhje me këtë çështje BE, OSBE dhe organizma të tjera monitoruese ndërkombëtare disa muaj përpara zgjedhjeve nisën alarmin se rreth 2 miliardë euro po përgatiteshin që të hidheshin në mënyrë të jashtëligjëshme në fushatë nga eksponentët e krimit, drogës dhe korrupsionit, për blerje vote dhe trafik influence. Mendoj se kjo është një shifër e ekzagjeruar, me synim që opinioni publik të sensibilizohej dhe të merreshin masat për shmangien e këtyre dukurive. Por, ajo që ndodhi në fakt ishte se paraja u zëvendësua me mall. Pra, në zgjedhje vota nuk u ble thjesht me para, por me produkte e shërbime. Rasti më unikal në botë ishte këmbimi i votave të një familjeje me një kafshë shtëpiake transporti me vlerën rreth 9.000 lekë. Aq keq vajti puna sa çmimi i gomerëve në tregun vendas u shtua me rreth 15%.

Por kjo është e keqja më e vogël. Problemi më i madh për shpenzimet e votimeve në Shqipëri nuk janë thjesht vetëm shpenzimet e partive politike, por kosto tepër e lartë e procesit zgjedhor që manaxhohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Vetëm për pesë muajt e parë të vitit 2017 (Janar – Maj) për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë faturuar rreth 1.4 milionë dollarë shpenzime, pa përfshirë këtu shpenzimet e komisioneve zonale dhe shpenzimet për printimin e letrës së votës. Mendohet se Shqipërisë, i tërë procesi i përgatitjes së procesit zgjedhor, me para të buxhetit të shtetit, pra me paratë e taksapaguesve, i kushton rreth 10 milionë euro. Kosto shumë e madhe kjo për një popull me rreth 3 milionë banorë, të varfër dhe të pa shkollë. Kjo kosto i ngarkohet qytetarëve çdo dy vite, për zgjedhjet e pushtetit qendror dhe për zgjedhjet e pushtetit vendor. Këtu nuk llogariten paratë që partitë politike marrin nga buxheti i shtetit çdo vit sipas ligjit, që llogariten në miliona euro.

Një mënyrë shumë e mirë për eliminimin e një pjese të madhe të kësaj kostoje janë votimi elektronik dhe numërimi elektronik. Votimi elektronik shmang një pjesë të mirë të kostove të printimit të fletës së votimit, ndërsa numërimi elektronik shmang një pjesë të mirë të kostove të pagesës së numëruesve të fletëve të votimit, shtuar këtu edhe pasaktësitë e shumta të këtyre të fundit, vërejtur në pothuajse të tëra zgjedhjet që janë bërë në Shqipëri këto 27 vitet e fundit.

Një çështje tjetër madhore, që lidhet me shpenzimet përgjatë zgjedhjeve janë edhe shpenzimet në buxhetin e shtetit në vitet elektorale. Vihet re se në ato vite që ka zgjedhje, shpenzimet e buxhetit të shtetit për investime publike rriten shumë. Konkretisht këto shpenzime janë 15 – 20% më të larta në vitet elektorale se sa në vitet kur nuk ka zgjedhje. Kjo ka të bëjë me atë që ekonomistët e njohin në terminologjinë shkencore si “ciklet e biznesit me bazë politikën”. Pra, sa herë që ka zgjedhje, partia apo koalicioni në fuqi alokon më shumë para për shpenzime publike në investime, në mënyrë që krysisht firmat e ndërtimit të përfitojnë para nëpërmjet prokurimeve publike, duke bërë që të rritet në mënyrë artificiale punësimi. Pra, dy a tre muaj përpara zgjedhjeve dhe dy a tre muaj pas tyre, shumë njerëz, shpesh me arsim jo të përshtatshëm, të pakualifikuar, të papunë të demoralizuar, futen në punë, në kontratat e punimeve civile, dhe, me mbarimin e këtyre kontratave mbeten pa punë. Kjo dukuri nuk është aspak e mirë për ekonominë shqiptare. Edhe në vende të ndryshme të botës vërehet kjo dukuri, por me këto përmasa dhe me këto ritme sa në Shqipëri, as është parë dhe as është dëgjuar ndonjëherë. Nga ana tjetër, në rastin e këtyre kontratave duhet bërë shumë kujdes, sepse ekziston mundësia që një pjesë e këtyre parave të kalojnë nga buxheti i shtetit në duart e subjekteve private jo serioze, që nuk realizojnë punimet civile sipas kontratës, por i përdorin këto para të taksapaguesve në shërbim të partisë në pushtet.

Përveç këtyre tre këndvështrimeve në lidhje me shpenzimet e votimeve në Shqipëri ka edhe aspekte të tjera që ja vlen të mbikqyren dhe analizohen me kujdes, por në fund të fundit, çështjet më të rëndësishme mbeten transparenca dhe paratë e taksapaguesve.

Pa transparence të plotë të shpenzimeve të votimeve të mëparshme nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme më pas dhe pa u kujdesur për të shpenzuar me kujdes paratë e takspaguesve nuk mund të ketë financa publike të shëndosha dhe nuk mund të ketë vendim marrje serioze për të ardhmen e vendit.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here