Rama: Gati një operacion kombëtar kundër feudëve të kanabisit

Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar drejtues të Policisë së Shtetit të përgatisin një operacion të madh kombëtar kundër elementëve kriminalë dhe “kokave” të kultivimit të kanabisit, që ai i cilësoi si “feudë”.

Gjatë raportimit në mbledhjen e Task Forcës për luftën kundër kanabisit, Rama përgëzoi Policinë e Shtetit, por theksoi edhe një herë goditjen e elementëve të policisë që janë të lidhur me këtë veprimtari.

“Policia e Shtetit duhet përgëzuar për këtë përpjekje dhe pavarësisht nga shtimi i fluksit të turistëve dhe pëhapjes së zjarret, nuk ka pasur asnjë cedim për luftën kundër kultivimit të kanabisit. Por pavarësisht nga përpjekja e Policisë së Shtetit, ka ende kryetarë bashkish apo krerë njësish administrative, nuk janë shfaqur në lartësinë e kësaj detyre për ç’rrënjosjen e kanabisit”, – tha ai.

Sipas Ramës, lufta në këtë front duhet të përshkallëzohet në drejtim të elementëve kriminalë dhe të ashtuquajturëve “të fortët” e zonës

“Prandaj është momenti i një operacioni të madh kombëtar në të gjithë territorin e vendit, kundër simboleve të feudëve të kultivimit të kanabisit. Ky operacion që duhet përgatitur me shumë kujdes, nuk duhet të jetë pengesë në këtë fazë kulmore të sezonit turistik. Menjëherë me rënien e fluksit të turistëve të vihet në zbatim, duke bllokuar automjetet e këtyre personazheve. Mjafton që këta elementë shumë shqetësues për komunitetet, rendit e sigurinë, të vihen para përgjegjësisë për të justifikuar vlerat e pasuritë marramendëse të tyre që të bëhet gjithçka transparente dhe të përgjigjen aty ku duhet, prokuorisë e gjykatës. Është koha ta pastrojmë Shqipërinë jo vetëm nga kanabisi, por edhe nga këto mikrobe të gjalla, që rrezikojnë sigurinë e njerëzve të zakonshëm të vendit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *