Pastrohet Ksamili, nisin hetimet për çarjen e tubacionit

0
89

Prokuroria e Sarandës ka nisur hetimet për të zbardhur përgjegjësit e ndotjes së Ksamilit. Pas alarmit të shkaktuar pas shpërthimit të një tubacioni të ujërave të zeza në plazhin e Ksamilit situata është normalizuar dhe në vendin e mbetjeve tashmë janë rikthyer pushuesit.

E vetmja shenjë e incidentit është një gropë e mbuluar në një nga rrugët kryesore të qytezës. Kryetarja e bashkisë tha se institucioni nuk ka pasur rol mbikëqyrës për punimet e kryera në rrjetin e kanalizimeve.

“Përgjegjësit do të dalin. Mendoj se parësore ishte normalizimi i situatës dhe ajo është bërë, është bërë në një kohë të shpejtë nga të gjithë njerëzit dhe institucionet e interesuara”, thotë kryebashkiakja e Sarandës, Floriana Koka.

Klevis Biçaku Koordinator i projektit IPA në Agjecinë Kombëtare të Ujësjellës–Kanalizimeve tha se do të vijojë monitorimi gjatë gjithë sezonit dhe se është njoftuar për ngjarjen Delegacioni Europian në Shqipëri.

“Kemi vënë në dispozicion të gjithë kapacitetet që kemi dhe kemi bërë ndërgjegjësimin tek autoritetet përkatëse”, deklaroi Biçaku.

Fahri Maho përfaqësuesi i supervizorit të punimeve për projektin e rrjetit të brendshëm të ujërave të zeza në Ksamil, tha se është duke u kryer ekspertiza teknike mbi atë çka ka ndodhur dhe pasi të përfundojë raporti teknik do të evidentojë edhe shkaqet e situatës së krijuar.

“Do të bëjmë një raport teknik që do t’ja dërgojmë autoriteteve përgjegjëse”, thotë Maho.

Projekti në fjalë, implementuar si pjesë e programit ndërkufitar IPA, nisi zbatimin vitin e kaluar dhe përfundoi vetëm para sezonit turistik të këtij viti. Projekti mban vlerën 3.5 milionë euro dhe është ende brenda afateve të garancisë teknike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here