Kontributet e paguara të pensioneve, rrezik për penalitete e mospërfitim

0
265

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është vënë në dukje një problematikë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, lidhur me mospërputhjen në disa raste të numrit të identifikimit (ID), të kartës personale të identitetit me emrat e punëmarrësve, apo edhe emra të deklaruar gabim në listëpagesat, nga punëdhënësit e tyre.

Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve evidenton se bazuar në ligjin “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” çdo punëdhënës, është përgjegjës për mbajtjen e kontributeve të punëmarrësit dhe deklarimin e pagesës në organet tatimore, së bashku me kontributet e punëdhënësit.

“Sipas nenit 15 të këtij ligji, çdo tatimpagues deklarues (punëdhës), është i detyruar që të vendosë në listëpagesë numrin personal të çdo punonjësi të punësuar prej tij. Kujtojmë çdo tatimpagues, që të jetë i saktë në deklarimin e këtyrë të dhënave, pasi çdo gabim përveçse është penalizues për vetë ato, sjell pasoja edhe për punëmarrësit e tyre, përsa i takon përfitimeve që ato do të kenë, përkundrejt kontributeve të paguara realisht”, shkruhet në njoftimin e Tatimeve.

 Auditimi i KLSH-së

 

Mbi 26 mijë punonjës rezultojnë me gabime në emër ose mbiemër në sistemin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, kur këto të dhëna kryqëzohen me regjistrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Gabimet që kanë dalë nga një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i klasifikuar si audit për Teknologjinë dhe Informacionin kanë zbuluar një seri problematikash, që nisin nga sistemet e ‘back-up’-it deri tek mosrakordimi i emrave mes Tatimeve, ISSH dhe Gjendjes Civile. KLSH ka gjetur gabime edhe në mënyrën e llogaritjes së kontributeve si për pjesën e punëmarrësit, ashtu edhe për atë të punëdhënësit.

Nga auditimi u konstatua se të dhënat (NID, emër, mbiemër) e punonjësve të importuar nga DPT, me ato të regjistrit të gjendjes civile u identifikuan disa problematika lidhur me informacionin e importuar nga DPT. Janë identifikuar 669 punonjës, të cilët nuk gjenden në regjistrin e DPGJC. Këta punonjës nuk gjenden as në regjistrin e personave që kanë ndërruar jetë. Sipas KLSH-së, janë identifikuar 26,314 raste kur emri ose mbiemri i punonjësit të deklaruar nuk është i njëjtë me atë të DPGJC për të njëjtin NID. Gjithashtu janë identifikuar 80 raste kur të dhënat për emrin dhe mbiemrin janë të ndryshëm, çfarë do të thotë se këta persona janë të ndryshëm. Nga kontrolli i të dhënave për NID-et e “sakta në format” me regjistrin e personave që kanë ndërruar jetë të DPGJC, rezulton se DPT i dërgon ISSH-së informacion për 4,028 persona, të cilët kanë ndërruar jetë prej kohësh.

Llogaritja e kontributeve

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërejtur se ka pasur gabime edhe në disa të dhëna të tjera, që janë importuar ndër vite si në përllogaritjen e kontributeve shoqërore për punëmarrësin, edhe për llogaritjen e kontributeve shoqërore për punëdhënësin. Sipas raportit, mësohet se janë bërë përllogaritjet e kontributeve për pagat që janë mbi pagën maksimale dhe nën pagën minimale duke pasur parasysh që pagesat nën pagën minimale janë kryer edhe kur punëmarrësi ka 22 ditë pune ose më shumë. Deklarime të pasakta janë në lidhje me numrin e ditëve të punës (ditët e punës janë më shumë se 31 ditë). Lidhur me këtë situatë, KLSH ka rekomanduar që nga ana e ISSH të ndiqen të gjithë hapat e nevojshëm, për saktësimin dhe ndjekjen deri në zgjidhje të pasaktësive mbi të dhënat e importuara në vite.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here