Sistemi bankar i vendit ngelet i orientuar më shumë drejt investimeve pa rrezik, ndërsa kreditimi ende nuk po fiton kuotë.

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të tremujorit të parë të këtij viti, investimet e bankave në letra borxhi, kryesisht të qeverisë shqiptare, arritën vlerën e afro 430 miliardë lekëve.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, investimet në tituj janë rritur me 4.6%. Paralelisht, portofoli i kredisë, ngelet në rënie.

Sipas Shoqatës së Bankave, në fund të marsit 2017 stoku i kredisë dhënë nga sistemi bankar arriti në 581 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, protofoli i kredisë është në rënie me 5 miliardë lekë ose rreth 0.9%.

Duhet thënë sidoqoftë se në tkurrjen e portofolit të kredisë një ndikim të konsiderueshëm ka pasur procesi i fshirjes së kredive të humbura, sipas kërkesave rregullative të Bankës së Shqipërisë.

Pavarësisht nga kjo, kreditimi ende është i zbehtë, për shkak të pasigurisë nga krahu i kërkesës, por, edhe të një qëndrimi konservator të bankave, sidomos në segmentin e biznesit të madh.

Për këtë arsye, sistemi bankar ka zgjeruar investimet me rrezik të ulët në tituj.

Ndonëse këto instrumente nuk sigurojnë përfitime domethënëse, në epokën kur interesat janë në nivelet më të ulëta historike, kjo formë investimi shihet nga bankat, së paku, si një mënyrë për të menaxhuar fondet e lira.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here