Subjektet tregtare në vend kanë edhe 7 ditë kohë për të dorëzuar pasqyrat financiare, raportet e auditit dhe të ecurisë së veprimtarisë për vitin financiar 2016, pranë QKB-së. Ligji i vitit 2007 “Për Regjistrimin e Biznesit” parashikon se subjektet që kanë detyrimin të depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, kur mbajtja e tyre është e detyrueshme, detyrohen në çdo rast t’i depozitojnë këto dokumente jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar.

“Detyrimin për depozitimin e dokumenteve të sipërcituara e kanë subjektet që janë regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim fitimi, të cilët duhet të dorëzojnë pranë QKB-së: Pasqyrat financiare vjetore të skanuara ne format PDF; Raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme); Vendimin për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesave ligjore)” shkruhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Biznesit. E afati i fundit i dorëzimit është data 31 korrik. Nëse një subjekt nuk përmbush këtë detyrim, brenda afatit ligjor atëherë QKB do të aplikojë sanksionet e parashikuara në ligj.

E sa i përket mënyrës së depozitimit të dokumenteve të mësipërme, subjektet tregtare mund të bëjnë aplikim online në portalin qeveritar e-albania, duke ndjekur të gjitha hapat e procedurës për kryerjen e aplikimit. Formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF, ku çdo dokument të ngarkohet si një dokument i vetëm. Individi i cili do të kryejë aplikimin, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike ndërsa shërbimi ofrohet pa pagesë.

Nga kjo mënyrë depozitimi bëjnë përjashtim subjektet me administrator të huaj dhe shoqëritë e kursim-kreditit, aplikimet e të cilëve do të vijojnë të kryhen vetëm në sportelet e shërbimit të QKB-së.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here