Rritja e tarifës së ujit në Tiranë, me 20 lekë për m3 kërkohet për të bërë të mundur realizimin e investimeve gjithëpërfshirëse si në rrjetin e transmetimit ashtu dhe të shpërndarjes, të cilat nuk mund të sigurohen me tarifat aktuale.

Gjithçka përcaktohet në relacionin që shoqëron projektvendimin e Këshillit Bashkiak, për ndryshimin e tarifave të ujit, i cili pritet të miratohet në mbledhjen e datës 26 korrik.

Sipas dokumentit,  investimet e parashikuara për pesë vitet e planit të biznesit klasifikohen në dy grupe kryesore. Grupi i parë përfshin investime kapitale nga fondet e Shoqërisë që arrijnë në total 7.3 miliardë lekë, ndërsa grupi i dytë përfshin investimet kapitale nga huaja tregtare që arrin në total rreth 16.26 miliardë lekë.

Disa nga projektet më të rëndësishme që priten të realizohen përmes këtyre investimeve janë matësat e rinj mekanikë dhe SMART për entet private, dixhitalizimi me GIS dhe Master Plani, shtimi i impiantit të Bovillës dhe ndërtimi i Linjës së re të Transmisionit nga Bovilla deri në Yzberisht.

Gjithashtu, parashikohet rikualifikim i linjave të transmetimit të Shën Mërisë, ndërtimi i By-Passeve të linjave të transmisionit të Impiantit të Bovillës, Burimit të Shën Mërisë dhe Burimit të Selitës si dhe shfrytëzimi i vendburimit të Gurit të Bardhë.

Sipas relacionit, shoqëria do të angazhohet për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës deri në vitin 2021, në mënyrë që të rrisë lidhjet me ujëmatës në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës nga 75% në 2016 në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021 dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018.

Element tjetër i analizës është parashikimi për shitjet e ujit. Sipas të dhënave projektohet rritje e shitjes së ujit deri në fund të 5-vjeçarit sepse do të rritet niveli i matjes dhe mbulimi i popullisë.

Nga ana tjetër do të ulet mbiprodhimi, gjë që çon në uljen e humbjeve nga 67.6 % në 40%. Prodhimi aktual është 106 milionë m3 dhe deri në vitin 2021 parashikohet te shkojë në 62 milionë m3, që ndryshe përkthehet në ulje prej 42 %.

Aktualisht, 1 m3 ujë në Tiranë kushton 45 lekë për abonentët familjarë, ndërsa me ndryshimet e propozuara pritet të shkojë në 65 lekë për m3. Ndërkohë që, për entet private, ai pritet të shkojë në 190 lekë për m3, nga 135 lekë për m3 që është aktualisht.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here