Home » Për herë të parë financat do të hartojnë deklaratën e rreziqeve fiskale, do raportohet në Kuvend

Për herë të parë financat do të hartojnë deklaratën e rreziqeve fiskale, do raportohet në Kuvend

Shumë shpesh arka e shtetit është ndikuar nga rreziqe që nuk kishin mundur të parashikoheshin, të tilla si krizat energjetike, apo borxhet e fshehura.

Për këtë qëllim nën asistencën e FMN dhe BB një njësi Risku Fiskal u krijua me skemën e re organizative në fund të marsit 2017 brenda  Drejtorisë së  buxhetit në Ministrinë e Financave e cila ka për qëllim të monitoruar risqet buxhetore.

Procesi i punësimit të dy specialistëve dhe i një drejtuesi sektori u finalizua në tetor 2016. Asistenca në kuadër të projektit të FMN / BE pritet të ndihmojë me zhvillimin e Njësisë gjatë vitit 2017.  Sipas ministrisë së Financave qëllimi kryesor i njësisë do të jetë:

  1. Të monitorojë dhe raportojë periodikisht risqet fiskale që lidhen me parashikimet makroekonomike; borxhi dhe borxhet e qeverisë qendrore dhe lokale; Qeveria qendrore PPP, NSH dhe investimet publike; Mbledhja e të ardhurave nga qeveria qendrore; Sektori financiar dhe kthimi i qeverisë qendrore, të vlerësuara rregullisht nga departamentet përkatëse brenda MF;
  2. Të përgatisë Deklaratën e Risqeve Fiskale (DRF) duke përfshirë të gjitha rreziqet e përmendura më lart. DRF do të raportohet në qeveri dhe do t’i paraqitet Parlamentit në bazë vjetore nga viti 2017.
  3. Të vlerësojë risqet fiskale të ndërmarrjeve Shtetërore, duke koordinuar departamentet e tjera brenda MF-së në identifikimin dhe vlerësimin e risqeve të mbetura fiskale që i përkasin fushës së tyre të mbulimit. Frekuenca dhe formatet e raportimit të risqeve do të përfshihen në Udhëzimin Metodologjik të Risqeve Fiskale, i cili do të miratohet nga Ministri i Financave.

Ligji Organik i buxhetit është ndryshuar për të forcuar mbikëqyrjen e Ministrisë se Financave në ndërmarrjet shtetërore duke futur rregulla të reja të monitorimit për “njësi të qeverisjes jo të përgjithshme”, të cilat përfitojnë nga fondet buxhetore dhe/ose nga garancitë shtetërore.

Sipas nenit 4/2 të Ligjit të ndryshuar, planet financiare vjetore dhe pasqyrat financiare tremujore të secilës njësi të qeverisë jo të përgjithshme do t’i dorëzohen Ministrisë së Financave, e cila do të vlerësojë NSH-të më të rëndësishme nga perspektiva e riskut fiskal dhe do të përfshijë një analizë përmbledhëse në deklaratën e riskut fiskal.