Home » Naftëtarët, nis zbatimi i statusit. Ka filluar dje pranimi i aplikimeve

Naftëtarët, nis zbatimi i statusit. Ka filluar dje pranimi i aplikimeve

Nga dita e djeshme për punonjësit në industrinë e naftës, aktualisht por dhe në të kaluarën, kanë filluar aplikimet në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për të përfituar statusin e naftëtarit.

Me këtë status, punonjësit në të gjithë zinxhirin e prodhimit të naftës në vend përfitojnë rritje të pagës minimale me 50 për qind, e llogaritur ndryshe në 36 mijë lekë.

Rritja në masën e pensionit është në varësi të viteve të punës. Ndërsa mosha e daljes në pension ulet me 5 vite për burrat në 60 vjeç dhe gratë 55 vjeç. Përfitime do të ketë edhe sa i përket trajtimit mjekësor falas, brenda dhe jashtë vendit.
“Është ngritur komisioni që ligji përcakton që fillon realisht të shqyrtojë dhe pajisë personat që përfitojnë sipas kategorive nga statusi i naftëtarit”, ka deklaruar Koli Bele, nga MEI.

Ligji nuk përcakton afate, duke e lënë të hapur mundësinë e përfitimit të statusit për të gjithë naftëtarët.

“Nuk ka një afat fiks, aplikantët mund të marrin kohën e tyre”, thotë Bele. Numri i përfituesve llogaritet në rreth 5 mijë dhe do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 400 milionë lekë në vit.