Home » Licensimi i projektuesve dhe kolauduesve ne ndërtim, tani aplikohet online

Licensimi i projektuesve dhe kolauduesve ne ndërtim, tani aplikohet online

Të gjithë ata që duan të marrin një licencë si projektues në ndërtim apo mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve në ndërtim mund ta bëjnë këtë edhe online.

Ministria e Zhvillimit Urban bëri me dije se në funksion të uljes së burokracive dhe transparencës është vendosur që këto dy kategori profesionistësh të licencohen përmes sistemit të ri. E gjithë kjo vjen vetëm pak kohë pas mundësimit të licencimit online të personave që merren me vlerësimin e pasurive të paluajtshme.

“Sistemi do të përmirësojë shërbimet ndaj qytetarëve, do të lehtësojë dhe do përshpejtojë procedurat, duke rritur më tej transparencën e sistemit midis MZHU-së dhe institucioneve të tjera publike apo edhe më gjerë. Mes të tjerash,  sistemi  do të shfrytëzojë të gjithë bazën e të dhënave të informacionit dhe do të minimizojë  sa më shumë të jetë e mundur ndërhyrjen njerëzore në proces, përgjatë performancës së kontrollit aritmetik dhe logjik” njofton ministria.
Sistemi mbi të cilin aplikohet sipas MZHU është në përputhje me kuadrin ligjor të miratuar duke garantuar disponueshmërinë, integritetin dhe konfidencalitetin.

Licencat aktive
Në fund të 2016 Ministria e Zhvillimit Urban bëri me dije se do të kalonte online në e-albania.al shërbimin për licencimin e vlerësuesve të pasurive të paluajtshme. Sipas kësaj ministrie ka një rritje të interesit për këtë profesion. Deri në maj sipas listës të bërë publike numri i personave të licencuar për të bërë vlerësim të pasurive të paluajtshme është 1130 vlerësues ndërkohe që janë edhe 37 persona juridikë që ofrojnë konsulencë dhe disponojnë licencë edhe për vlerësimin e pasurive. Sakaq të licencuar aktualë në mbikëqyrje dhe kolaudim ndërtimesh janë 1491 individë dhe 183 biznese që e ofrojnë si shërbim duke disponuar edhe ata një licencë. Në projektim janë aktive deri në maj 2017, 300 shoqëri që e ofrojnë këtë shërbim dhe 5998 individë.