Home » Shtyrja e afatit të mbrojtjes së posaçme për investitorët e huaj! Vendimi hyn në fuqi pas dy javësh

Shtyrja e afatit të mbrojtjes së posaçme për investitorët e huaj! Vendimi hyn në fuqi pas dy javësh

Vendimi i qeverisë për shtyrjen me 4 vite të afatit të mbrojtjes së posaçme për investimet e huaja do të hyjë në fuqi në mesin e këtij muaji. Në mbledhjen e pak javëve më parë, Këshilli i Ministrave ka shtyrë deri me 31 dhjetor 2018 afatin që përcaktohej në ligjin për investimet e huaja. Në ligj përcaktohej se afati i fundit ka qenë 31 dhjetori i vitit 2014.

Krahas përcaktimit të afatit të ri të vlefshmërisë së këtij neni, qeveria ka vendosur të shtojë dhe një paragraf ku detajohen procedurat e përfitimit të mbrojtjes së posaçme shtetërore nga investitorët e huaj.

“Mbrojtje të posaçme shtetërore, sipas parashikimeve të neneve 8/b, pikat 1 e 2, 8/d dhe 8/dh, të këtij ligji, përfitojnë automatikisht dhe pa pasur nevojën e ndjekjes së ndonjë procedure apo marrjes së ndonjë vendimi tjetër edhe investitorët/investimet strategjike, procedurë e  veçantë, që kanë marrë këtë status në përputhje me dispozitat e ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë. Këshilli i Ministrave përcakton kufijtë dhe tagrat e zëvendësimit të palëve, në përputhje me nenin 8/b, të këtij ligji” shkruhet në shtesën e ligjit për investimet e huaja.