/Qeveria krijon fondin e posaçëm për sipërmarrjet turistike – Kushtet që duhet të plotësojnë bizneset dhe kriteret për përfitim

Qeveria krijon fondin e posaçëm për sipërmarrjet turistike – Kushtet që duhet të plotësojnë bizneset dhe kriteret për përfitim

Pas vendimit të uljes së TVSH për turizmin, qeveria vazhdon të mbështesë ndërmarrjet në këtë sektor përmes krijimit të fondit për sipërmarrjet turistike.

Bëhet fjalë për fondin për ndërmarrjet mikro dhe të vogla në sektorin e turizmit për periudhën 2017-2019, i cili në vlerë të përgjithshme do të jetë 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë.

Konkretisht vlera e fondit për secilin vit do të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë dhe u jep ndihmë financiare të drejtpërdrejtë ndërmarrjeve mikro e të vogla, që operojnë në sektorin e turizmit.

“Në varësi të projektit konkurrues, të përgatitur nga aplikantët, skema mbulon nga 60 për qind deri në 80 për qind të kostove të pranueshme dhe të miratuara, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë. Fondi i Sipërmarrjes Turistike, përveç fondeve të parashikuara në buxhetin e shtetit, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare”, thuhet në vendim.

Fondi ka për qëllim dhënien e ndihmës financiare në mbështetje të sipërmarrjeve turistike që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në:

a)struktura akomoduese të llojit bujtinë, në zonat rurale;

b) agroturizëm dhe shërbime kulinare tradicionale të zonës.

Ndërmarrjet që përfitojnë nga fondi

Përfitojnë nga Fondi i Sipërmarrjes Turistike ndërmarrjet që plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a) Janë ndërmarrje të klasifikuara si mikro ose të vogla, sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar;

b) Kanë selinë ose vendin kryesor të ushtrimit të aktivitetit brenda territorit të vendit.

c) Ofrojnë shërbime turistike brenda vendit;

ç) Paraqesin një projektpropozim ose planbiznesi duke demonstruar se aktivitetet e parashikuara për mbështetje nga Fondi i Sipërmarrjes Turistike janë të rëndësishme për zhvillimin e biznesit të tyre, duke pasur parasysh përdorimin e fondit për një investim afatgjatë;

d) Janë të regjistruara në QKB dhe nuk kanë detyrime tatimore e doganore të papagura;

dh)Plotësojnë kriteret e legjislacionit të ndihmës shtetërore për ndihmën “De minimis”;

e) Përfitojnë biznese që operojnë në tregun turistik, jo më pak se 1 vit.

Në kostot e pranueshme, të cilat mund të bashkëfinancohen, përfshihen kostot për:

a)përmirësimin dhe rinovimin e kapaciteteve akomoduese të bujtinave, pajisjeve dhe mobilimeve, bazuar në karakteristikat tradicionale të zonës turistike;

b)përmirësimin e mjediseve e të pajisjeve, në përputhje me trashëgiminë kulturore dhe historike të zonës;

c)përmirësimin e mjediseve e të pajisjeve për përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit, në përputhje me standardet e turizmit;

ç) certifikimet, në përputhje me standardet që zbatohen në sektorin e turizmit.

“Pagesa e subvencionit bëhet 50 për qind me miratimin e projektit dhe 50 për qind në fund të zbatimit të tij. Pagesa në fund të projektit do të bëhet kundrejt faturave të shpenzimeve të kryera për vlerën e përgjithshme të projektit. Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për menaxhimin e Fondit të Sipërmarrjes Turistike. Procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit të Sipërmarrjes Turistike, e cila miratohet nga ministri përgjegjës për ekonominë. Aplikuesit janë të detyruar të raportojnë pranë AIDA-s lidhur me zhvillimin e projektit dhe qëllimin për të cilin është përfituar ky fond, sipas afateve që do të përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit të Sipërmarrjes Turistike. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare””, thuhet në vendimin e qeverisë.