/Gjeopolitika po kthehet në Ballkan -Maqedonia – “fushëbeteja” aktuale – Maksim Sinemati

Gjeopolitika po kthehet në Ballkan -Maqedonia – “fushëbeteja” aktuale – Maksim Sinemati

Maksim Sinemati

 

Rrahja brutale e deputetëve të parlamentit të Maqedonisë nga ana e një grupi të madh protestuesish, proVMRO-DPMNE-së, të enjten e kaluar, shkaktoi reagime diametralisht të kundërt në Perëndim dhe Lindje, duke e lënë të hapur çështjen e shkallës së ndikimit të BE-së, SHBA-së dhe të Rusisë në këtë vend. Ishin diplomatët e lartë evropianë që reaguan të parët ndaj incidentit të rëndë në Shkup, ku një turmë e madhe protestuesish hyri më forcë në selinë e parlamentit të Maqedonisë në mes të kryeqytetit të këtij vendi. “Aksionin” në fjalë e kreu lëvizja shoqërore“Për Maqedoninë unike” qëështë mbështetëse e fortë e partisë sllavomaqedonase, deri tani në pishtet, VMRO-DPMNE, me lider Nikolla Gruevskin, ish-kryeministër kohëgjatë në këtë vend. Protestuesit, rreth 200 veta, një numër prej tyre me maska, fillimisht, depërtuan në hollin e parlamentit dhe, më pas, edhe në sallën e seancave të parlamentit, ku edhe rrahën brutalisht deputetë të partisë, deri tani opozitare, LSDM, dhe të partive shqiptare. Si rezultat i këtij sulmi të egër, ndër kryesorët që e pësoi, duke u gjakosur, ishte lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pretendenti më i mundshëm për kryeministër të ri të Maqedonisë. Po ashtu, gjatë këtij sulmi, u rrahën keqazi deputetë dhe gazetarë e kameramanë që po mbulonin seancën e zgjedhjes së kryetarit të ri të parlametit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, nga radhët e partisë shqiptare, BDI.

“Ne, në mënyrën më të vendosur, e dënojmë sulmin kundër anëtarëve të parlamentit në Shkup”, vihej në dukje në deklaratën e përbashkët të përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Federika Mogerini, dhe të komisionerit evropian për zgjerimin, Johanes Han. Si BE-ja,ashtu edhe SHBA-ja, u shprehën pozitivisht për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit, Talat Xhaferi.

Por, Rusia, më saktë, Ministria e saj e Jashtme, shprehu një opinion krejtësisht të kundërt, duke i akuzuar partitë që zgjodhën Xhaferin si kryeparlamentar, për “një përpjekje për të marrë me forcë pushtetin në vend, duke zgjedhur një kryetar parlamenti, me shkelje flagrante të procedurave të përcaktuara”. Për më tepër, Moska ngarkoi me përgjegjësi BE-në dhe SHBA-në për krizën politike në Maqedoni që, në fakt, po vazhdon prej rreth tre vitesh dhe së cilës nuk po i duket fundi. E gjithëkjo, sa më sipër, u jep peshë fjalëve të Dejvid Mekalisterit, europarlamentar që, në Parlamentin Evropian, kryeson Komitetin për Politikën e Jashtme. Marsin e kaluar, ai paralajmëroi se “gjeopolitika po kthehet në Ballkan”.

Gjatë viteve të fundit, Rusia po tregon një interes në rritje në Ballkan, midis të tjerave, një interes të madh edhe kundrejt Maqedonisë, gjë që e tregon edhe fakti se ministri i Jashtëm rus, Sergei Llavrov, nuk lë që t’i ikë rasti që të shprehet për zhvillimet në Maqedoni. Sipas Moskës, BE-ja dhe aleatët e saj synojnë që, në çdo mënyrë, t’i rrëzojnë nga pushteti qeverinë dhe partinëe Gruevskit, duke mbështetur, tani, të mbiquajturën “platformë shqiptare” që, sipas VMRO-DPMNE-së, synon, në radhë të parë, aneksimin nga Shqipëria të një pjese të Maqedonisë!

Nuk është hera e parë që Ballkani Perëndimor vihet në qendër të intrigave ndërkombëtare dhe të ndash të vërtetën nga sajesa, në këtë rajon, eshtë gjithnjë e vështirë. Por, sifoqoftë, edhe vëzhguesit më të ekuilibruar shohin një dozë të madhe vërtetësie lidhur me atë se Rusia po tregon një interes të madh për rajonin në fjalë. “Vitet e fundit, Rusia, gjithnjë e më shumë, po tregon një interes të madh për Maqedoninë”, thotë vëzhguesi i njohur politik maqedonas, Sasho Ordanovski, duke vazhduar se Rusia po bën gjithçka të mundur që ta mbështesë Gruevskin përmes MPJ-së së saj, duke e bërë këtë me shumë zhurmë. “Gjatë dy viteve të fundit, Moska ka folur më tepër sesa gjatë 25 viteve të fundit për Maqedoninë”, thotë Ordanovski.

Sidoqoftë, brenda Maqedonisë, ka nga ata që mendojnë se supozimet se është Rusia ajo që po e dirigjon kaosin në këtë vend, nuk duhen marrë shumë seriozisht. Veprimet e Moskës, ata i konsiderojnë një oportunizëm të llogaritur. “Moska po e shfrytëzon krizën maqedonase si një manovër të pistë që ta detyrojë Perëndimin të shpenzojë më shumë kohë dhe resurse në këtë rajon”, konsideron Ordanovski. “Vështirësitë e brendshme, me të cilat po përballen, tani, BE-ja dhe SHBA-ja, i japin mundësi Moskës që të mbjellë përçarje. Rusia nuk ka ndonjë perspektivë të llogaritur kohëgjatë interesash në Ballkanin Perëndimor”, vë në dukje eksperti për Ballkanin në Kolegjin Universitar të Londrës, Erik Gordi, duke shtuar se, megjithatë, “Moska është e interesuar që ta minojë, me çdo mënyrë, BE-në dhe ajo e bën këtë, madje edhe duke provokuar konflikte ndëretnike”.