/Bashkimi Shqipëri-Kosovë, Rusia: Rrezik konflikti në Ballkan

Bashkimi Shqipëri-Kosovë, Rusia: Rrezik konflikti në Ballkan

Rusia ka shprehur shqetësim mbi deklaratat e fundit të politikanëve shqiptarë, kryeministrit Rama e presidentit kosovar Hashim Thaçi, në lidhje me atë që sipas Moskës, e konsiderojnë si qëllim për rishikimin e kufijve të Ballkanit dhe përpjekje për të destabilizuar juglindjen e Europës.
Përmes një deklarate zyrtare të publikuar nga Ministria e Jashtme e Rusisë, Moska vlerëson se nën maskën e akuzave të pabazuara të përpjekjeve për destabilizim të Ballkanit, po bëhen përpjekje për të implementuar projektin e Shqipërisë së Madhe, projekt që bazohet në Kushtetutën shqiptare, e cila i jep të drejtën Tiranës të mbrojë interesat e shqiptarëve jashtë vendit, kudo që ata ndodhen.
Këtyre deklaratave, – vijon më tej Ministria e Jashtme ruse, – u ka bërë jehonë edhe kreu i Bashkisë së Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë, një rajon i populluar kryesisht nga shqiptarë, të cilët shpallën dëshirën për të qenë pjesë e shtetit të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Ministria e Jashtme ruse shkon më tej, teksa thotë se pjesë e këtij konteksti është edhe e bujshmja “platformë e Tiranës”, e miratuar nga partitë shqiptare në Maqedoni, që po minon themelet e shtetit maqedonas.
E pavarësisht këtyre deklaratave, padronët kryesorë të Tiranës dhe Prishtinës – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, – ose kanë qëndruar të heshtur, ose kanë dhënë vetëm disa deklarata si zakonisht të pakuptimta, thuhet në komunikatë.
Kremlini zyrtar ka theksuar gjithashtu edhe ironinë e hidhur, siç është shprehur edhe nga pala serbe, se nëse Vuçiç do t’i lejonte vetes të sugjeronte publikisht bashkimin e Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë me Serbinë, ai do të ishte bombarduar nga zyrtarët në Bruksel.
E për këtë arsye, diplomacia ruse ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojnë në mënyrë të menjëhershme  përballë politikanëve të Tiranës dhe Prishtinës, por edhe kujtdo në vendet e Ballkanit, që lëshojnë pretendime apo spekulime mbi rishikimin e kufijve të Ballkanit, gjë që është e papranueshme.