/Si do të veprohet me lejet e ndërtimit/ MZHU nxjerr udhëzimin e dytë për bashkitë

Si do të veprohet me lejet e ndërtimit/ MZHU nxjerr udhëzimin e dytë për bashkitë


Në kushtet kur një pjesë e mirë e Planeve të Përgjithshme Vendore janë miratuar mes të cilëve edhe ai për bashkinë më të madhe në vend që është ajo e Tiranës, Ministria e Zhvillimit Urban ka nxjerrë udhëzimin e dytë për mënyrën sesi do të bëhet zbatimi.

Ky udhëzim vjen pas atij të datës 16 mars 2016 në të cilin përcaktoheshin procedurat që do të ndiqnin bashkitë respektive për tranzicionin nga kuadri aktual në planet e reja të miratuara.

Udhëzimi i ri shton dy pika. E para përcakton qartësisht se kur quhet i hyrë në fuqi një plan vendor dhe e dyta sesi do të veprohet për lejet e ndërtimeve me orientim prodhim, përpunim dhe të produkteve blegtorale dhe bujqësore.

“Plani i Përgjithshëm Vendor hyn në fuqi dhe fillon të zbatohet nga data e botimit në Regjistrin Integral të Planifikimit të vendimit të KKT-së që e miraton atë së bashku me dokumentacionin shoqërues”, thuhet në udhëzim.

Për bashkitë që ende nuk kanë një plan apo që s’ju ka hyrë në fuqi lejet e ndërtimit të çdo kategorie do të rregullohen me vendimin e korrikut 2015.

Deri më tani Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar planet vendore për 14 bashki mes të cilave Krujë, Kukës, Gjirokastër, Urë Vajgurore, Skrapar, Poliçan, Cërrik, Librazhd, Kurbin, Divjakë dhe Korçë, Tiranë, Përrenjas,  Dibër.