Home » Sa po i kushton lobimi nw Washington politikws shqiptare?-Shefqet Kërcelli

Sa po i kushton lobimi nw Washington politikws shqiptare?-Shefqet Kërcelli

 

Nga Shefqet Kërcelli

 Paralel me luftën politike në Tiranë, mes partive më të mëdha shqiptare po zhvillohet edhe një tjetër betejë më e padukshme, ajo për ndikim dhe mbështetje në Uashington. Vetëm gjatë muajit të fundit në Departamentin amerikan të Drejtësisë janë depozituar dy kontrata, përmes të cilave, dy partitë më të mëdha në vend kanë punësuar lobistë për të promovuar veten në Uashington.
E para, Partia Demokratike ka pajtuar kompaninë “Muzin Capitol Partners” në datën 31 mars të këtij viti. Sipas kontratës, kompania do të promovojë vizionin dhe qëllimin e Partisë Demokratike tek bizneset dhe udhëheqësit politikë në Uashington. Në këmbim, PD-ja do të paguajë 75 mijë dollarë, në 3 këste me nga 25 mijë dollarë secili, respektivisht në datat 22 mars, 22 prill dhe 22 maj të këtij viti. Kontrata e dytë është e Partisë Socialiste dhe është nënshkruar vetëm pak ditë më parë, saktësisht në datën 13 prill, me kompaninë lobuese “Ballard Partners”. Sipas kontratës, kompania do të këshillojë dhe asistojë Partinë Socialiste në komunikimet e saj me zyrtarët e qeverisë amerikane. Edhe pse kontrata e lobimit nuk është dorëzuar e plotë në Departamentin amerikan të Drejtësisë, “The Hill”, një gazetë shumë afër Kongresit amerikan, zbulon se Partia Socialiste do të paguajë 240 mijë dollarë te “Ballard” për një periudhë njëvjeçare. Sipas gazetës, “Ballard Partners” është një kompani shumë e afërt me presidentin amerikan, Donald Trump. Pronari i saj, Brian Ballard ka qenë gjatë fushatës elektorale të Trumpit, shefi i financës për shtetin e Floridës dhe ndoshta kjo nuk është një zgjedhje e rastësishme për socialistët. Dy kontratat e partive më të mëdha në Tiranë vijnë në një kohë kur partia e tretë e madhe e vendit, Lëvizja Socialiste për Integrim, sapo ka përfunduar edhe ajo një marrëveshje të ngjashme lobimi. LSI-ja i pagoi “Global Security and Innovative Strategies” 175 mijë dollarë për lobim në Uashngtion. Objekti i kontratës ka qenë mundësimi i takimeve të zotit Meta me zyrtarë të ndryshëm në Kongresin dhe qeverinë amerikane.

Gjykuar në një analizë të thjeshtë të këtyre kontratave theksojmë se, lobimi i vërtetë, thelbësor për Shqipërinë dhe shqiptarët në SHBA, janë shqiptaro-amerikanët dhe jo partiçkat e këtyre 25 viteve. Pse? Sepse për mëse dy shekuj në sajë të punës, ndershmërisë, integritetit e dashurisë për kombin e atdheun e tyre, shqiptaro-amerikanët kanë lobuar për pavarësinë, zhvillimin dhe prosperitetin e trojeve shqiptare. Është një rast unikal kontributi i diasporës sonë në SHBA, që pamvarësisht largësisë globale ka qenë e lidhur ngushtësisht me vendin e saj, shpirtërisht, moralisht, finaciarisht, etj. Por, ka dhe një ndryshim thelbësor, sepse ndërsa shqiptaro-amerikanët kanë shkrirë pasurinë e tyre për Shqipërinë, partickat tona po shkrijnë Shqipërinë për partinë. A e dini se deputetë, politikuej e ofiqarë vijnë në SHBA për punë e qejf, në sajë të remitancave dhe taksave që paguajnë shqiptaro-amerikanët. Nipa, mbesa, stërnipa, stërmbesa, kushurinj, dhëndurë të këtyre pinjollëve të karikaturës postkomuniste demokratike, bëjnë kurse e arsimohen falas në fusha të ndryshme në SHBA me bursa që indirekt rrjedhin dhe nga taksat apo “bill-at” e shqiptaro-amerikanëve. Kurse shqiptaro-amerikanët shtrëngojnë rripin për të ardhur njëherë në Shqipëri e anasjelltas, për të parë vendin dhe të dashurit e tyre. Ndërsa kastës së re postkomuniste nuk ja bën syri tërt për $, protofolin plot. Shqiptarët ende nuk po kuptojnë se problem kryesor në këto 26 vite është shpërndarja e të ardhurave dhe pronave në Shqipëri, dhe ndërkohë që vazhdojnë të diskutojnë bukën dhe kripën japin jetën për partiçkat. Vetëm ne s’kemi minimum jetik në skemën ekonomike, por vazhdojmë avazin, ç’kërkonte shqiptari në shekuj?…..pak bukë, pak kripë dhe hekur. Gjithashtu është fakt se ata politikanë, diplomatë, finacierë, studjues, qytetarë, ushtarakë e shtetarë amerikanë që kanë takuar dhe mund të takojnë shqiptaro-amerikanët në vite, politikuejtë tanë i shohin me dylbi. I qan syri për një kongresmen e senator deputetëve tanë sa herë vijnë në SHBA, për të bërë një self, për të mbuluar hordhëqet e për të siguruar karrigen e tyre. Sigurisht që zoti Trump dhe administrate e tij i dinë mirë këto gjëra. Pamvarësisht paraqitjes joreale të situatës në Shqipëri, ata le t’ja marrin dollarët këtyre partive lobingkërkuese, por puna është se këto para janë të popullit, se ofiqaro-politikanët tonë s’nxjerrin gjë nga xhepi i tyre. Pastaj, vërtet fitohen disa mijëra dollarë, por nga ana tjetër humbasin miliarda, dëmtohen rëndë interesat dhe bashkëpunimi shqiptaro-amerikan, që për mua nuk e ka arritur atë të viteve ‘20-’30 dhe aktualisht po gërryhet nga forca e klane të ndryshme. Ndaj rasti i Shqipërisë duhet parë specifikisht, ashtu siç është miqësia shqiptaro-amerikane. Në këto kushte do ishte mirë që partitë politike shqiptare të kishin përfaqsuesit e tyre në diasporë, SHBA e gjetkë, madje dhe deputetë, ashtu si në vitet 1920-’30. E kush më mirë se shqiptaro-amerikanët do përfaqësonte  Shqipërinë, shqiptarët dhe partitë në institucionet e niveleve të ndryshme apo metropolet e SHBA? Le të bëhemi pak diasporë si në vitet ‘20-’39-të, të shekullit të kaluar, {e në cfarë kushtesh?!}, sepse në fund të fundit kjo është cështje mbijetese. E për këto nuk ka nevojë për show e pështjellje emigrantësh, sepse komunikimi me internet bën punën e vet. Cdo shqiptaro-amerikan e di se ka interesa me vendin e tij për njëmijë e njëqind arësye. Atëhere lind pyetja?- lobimin për Shqipërinë kujt t’ja lemë?! A duhen anashkaluar shqiptaro-amerikanët, që momentalisht e kanë kaluar milionin në SHBA dhe më mirë se cilido e njohin demokracinë e atij vendi?!