/Dokumenti i ri tatimor/ DPT: Si do të përdoret nga sipërmarrësit “fleta e shoqërimit”

Dokumenti i ri tatimor/ DPT: Si do të përdoret nga sipërmarrësit “fleta e shoqërimit”


Në ndryshimet e këtij viti në udhëzimin e procedurave tatimore, Ministria e Financave ka publikuar edhe një dokument të ri tatimor, fletën e shoqërimit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve fleta e shoqërimit i vjen në ndihmë sipërmarrësve dhe përdoret në rastin kur shitësi i shet mallrat blerësit, i cili nga ana e tij më pas i shet këto mallra tek një blerës tjetër.

“Një person i tatueshëm (shitësi) i shet mallrat për një person tjetër të tatueshëm (blerës), por lëvizja e mallrave nëpërmjet transportit nuk kryhet në drejtim të personit të tatueshëm blerës-rishitës, por në drejtim të një personi të tretë (pritësi/blerësi i tretë). Në këtë rast personi i tatueshëm shitës, në momentin që mallrat transportohen me destinacion personin e tretë, lëshon fletën e shoqërimit të mallrave, në të cilën identifikon personin e tatueshëm blerës të mallrave dhe të dhënat identifikuese të tij, si dhe të dhënat e pritësit të mallrave, NIPT-in dhe adresën ku mallrat janë destinuar të transportohen”.

Kjo fletë-shoqërimi e mallit duhet të shoqërojë mallrat gjatë transportit dhe lëshohet në tre kopje, nga të cilat:

-Një kopje e mban shitësi i mallit;

-Një kopje e mban pritësi i mallit;

-Një kopje transportuesi ia dërgon rishitësit;

Fatura e shitjes së mallit lëshohet nga personi i tatueshëm furnizues (që shet) për personin e tatueshëm blerës (rishitës). Ky i fundit lëshon menjëherë faturën tatimore të shitjes dhe ia vë atë në dispozicion personit të tretë, i cili është blerësi përfundimtar, si dhe njëkohësisht pritësi i mallit, personi për të cilin mallrat janë destinuar.

“Fatura tatimore e shitjes e lëshuar nga blerësi-rishitës për pritësin e mallit, nga ky i fundit i bashkëngjitet fletës së shoqërimit, me anë të së cilës është transportuar dhe është bërë i disponueshëm malli. Në çdo rast transaksionet dokumentohen me kontratat përkatëse në të cilën evidentohet qartë se cili është shitësi, blerësi dhe pritësi i mallit”, thuhet në njoftimin e DPT.