Idrizi: Pakt kombëtar për reformën në drejtësi dhe zgjedhjet e lira

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka zhvilluar një takim me strukturat në Lushnje dhe në Fier. Në këto takime ishte i pranishëm deputeti Aqif Rakipi, kryetari i PDIU-së në Lushnje Hamza Ismaili, kryetari i PDIU-së në Fier Nustret Avdullai, kryetarja e Forumit të Gruas të PDIU-së në Fier Brunilda Çami, si edhe përfaqësues të Klubit të Patriotëve të Rinj.

Në takimin me strukturat në Lushnje z.Idrizi u shpreh se në të gjithë historinë e këtyre 25 viteve, por edhe me Kodin Zgjedhor të miratuar nga dy partitë e mëdha, është deformuar vota e shqiptarëve, duke shprehur kështu rezerva për Kodin Zgjedhor. Nga Lushnja ai propozoi që të ketë një zonë elektorale në mënyrë që partitë politike të marrin përqindjen e votave që i takon.

“Pse të mos kemi një zonë elektorale që partitë politike të marrin përqindjen e votave që u takojnë dhe mbas kësaj të kenë mundësi të bëjnë dhe aleanca. Gjithkush të hyjë në zgjedhje, të provojë veten dhe në bazë të votave të qytetarëve të arrijmë të bëjmë koalicionet e mundshme dhe ky është propozimi ynë, – tha Idrizi. – Ne jemi në prag zgjedhjesh, por duket sikur kemi dalë jashtë sistemit. Kemi dalë jashtë sistemit sepse disa parti nuk regjistrohen. Të gjithë flasin, sidomos dy partitë e mëdha, për zgjedhje të barabarta dhe transparente, por në të gjithë historinë e këtyre 25 viteve, por edhe me Kodin Zgjedhor të miratuar nga dy partitë e mëdha, janë ata që e kanë deformuar votën e shqiptarëve. E thënë kështu, ne kemi një sistem zgjedhor ku parimi “Stalinist” që populli voton, kurse dy partitë e mëdha numërojnë, është fatkeqësisht i instaluar. Ky Kod Zgjedhor i detyron partitë politike të futen në koalicion. Të gjithë partitë e vogla humbasin 500-700 mijë vota, të cilat i kalojnë partive të mëdha, që në këtë rast janë edhe numëruese edhe përfituese të këtyre votave”, – tha Idrizi në takimin me strukturat në Lushnje.

Ndërsa në takimin me strukturat në Fier, Idrizi foli edhe për krizën politike që ka mbërthyer vendin. Sipas tij, kjo krizë është produkt i paaftësisë së klasës politike shqiptare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *